Shqipëria mbetet me pagën minimale më të ulët në Europë edhe pas rritjes
Pavarësisht rritjes në 50 mijë lekë nga janari, paga minimale në Shqipëri vijon të jetë më e ulëta në rajon dhe në Europë, ndërsa diferenca thellohet ndjeshëm kur matet me fuqinë reale blerëse.

Pavarësisht rritjes së pagës minimale nga 40 në 50 mijë lekë në muaj që hyri në fuqi në janar, Shqipëria vijon të ketë nivelin më të ulët të pagës minimale në rajon dhe në Europë, nëse përjashtohen vendet e ish Bashkimit Sovjetik. Diferencat bëhen edhe më të theksuara kur paga matet sipas fuqisë blerëse, duke reflektuar rritje më të shpejtë të çmimeve në raport me të ardhurat.
Sipas të dhënave të publikuara nga Eurostat, paga minimale në Shqipëri përllogaritet në 517 euro, nga 408 euro që ishte në tremujorin e mëparshëm. Kjo vlerë në euro favorizohet pjesërisht nga kursi i këmbimit, por sërish mbetet më e ulëta në rajon.
Shtete si Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut kanë ecur më shpejt jo vetëm në rritjen e pagës minimale, por edhe të pagës mesatare në përgjithësi. Serbia kryeson rajonin me pagë minimale 744 euro, e ndjekur nga Mali i Zi me 670 euro dhe Maqedonia e Veriut me 586 euro. Për Kosovën nuk ka të dhëna zyrtare nga Eurostat, por qeveria ka vendosur rritje graduale të pagës minimale për ta çuar atë në 500 euro në gjysmën e dytë të këtij viti.
Fuqia blerëse thellon diferencat
Diferencat mes Shqipërisë dhe vendeve të rajonit bëhen shumë më të mëdha kur paga minimale matet sipas fuqisë reale blerëse (PPS), e cila merr parasysh nivelin e çmimeve në secilin vend. Ky tregues reflekton se sa mund të blejë realisht një punonjës me pagën minimale.
Për Shqipërinë, paga minimale sipas fuqisë blerëse është 708 PPS, ndërsa për Maqedoninë e Veriut arrin në 1,069 PPS. Kjo do të thotë se ndonëse paga minimale nominale në Shqipëri është vetëm 11.7% më e ulët, në terma realë ajo është rreth 34% më e ulët. Në Serbi, paga minimale sipas fuqisë blerëse është 1,105 PPS, ndërsa në Mal të Zi 1,058 PPS. Këto të dhëna tregojnë se çmimet në Shqipëri janë rritur me ritme shumë më të shpejta sesa pagat, duke ulur ndjeshëm fuqinë reale blerëse të punonjësve.
Paga minimale në Europë
Sipas Eurostat, më 1 janar 2026, 22 nga 27 vendet e Bashkimit Europian kishin paga minimale kombëtare. Danimarka, Italia, Austria, Finlanda dhe Suedia nuk zbatojnë pagë minimale ligjore.
Në tetë vende të BE-së paga minimale ishte nën 1,000 euro në muaj, ndërsa në tetë vende të tjera varionte nga 1,000 deri në 1,500 euro. Gjashtë vende kishin paga minimale mbi 1,500 euro në muaj, me Luksemburgun që kryeson me 2,704 euro.
Diferencat ngushtohen kur korrigjohen çmimet
Eurostat vëren se diferencat mes pagave minimale në BE zvogëlohen ndjeshëm kur merren parasysh dallimet e nivelit të çmimeve. Pas përshtatjes me fuqinë blerëse, paga minimale më e lartë në BE rezulton vetëm 2.4 herë më e madhe se më e ulëta, krahasuar me 4.4 herë në vlerë nominale.
Megjithatë, Shqipëria mbetet jashtë këtij përmirësimi relativ, duke u pozicionuar dukshëm më poshtë edhe kur krahasimi bëhet në terma realë, çka thekson sfidën e fortë të kostos së jetesës për punonjësit me paga të ulëta.
Burimi: Monitor
Më të lexuarat






